Ja disa gjëra që duhet ti kesh kujdes në intervistën e punës

Qëllimi kryesor i një interviste është të bindësh rekrutuesin se ti je më i mirë i gjithë kandidatëve e tjerë. Ti ke aftësitë, personalitetin dhe motivimin e duhur për ta bërë punën siç duhet. Ndërsa je pregatitur të japësh përgjigjet e duhura, ki parasysh se ka dhe disa gjëra që intervistuesi nuk dëshiron ti dëgjojë. Të kanë thirrur për intervistë. Mos e shpërdoro rastin.  Kujdes këto pika:

1. “Më falni për vonesën…”

Paraqitu në kohë. Pikë. S’ka justifikim.

Nëse je thirrur për intervistë online, futu të paktën 5 minuta përpara. Testo kamerën, mikrofonin, linkun, pamjen tënde.

Nëse je thirrur për intervistë përballë, planifiko sa kohë të duhet që të jesh në kohë. Nëse është e nevojshme provo një ditë para intervistës për të matur sa kohë të duhet saktësisht.

2. “E di që nuk kam shumë eksperiencë por…”

Kur kërkon falje për përvojën që nuk ke dhe me mungesë konfidencë, në thelb po thua se nuk je mjaft i përshtatshëm për rolin! Në vend që të fokusohesh tek dobësitë e tua, përqëndrohu në pikat e tua të forta. Gjithmonë ktheje situatën në favorin tënd. Tregohu entuziast. Përdor aftësitë e tua të transferueshme për të dalë nga situata edhe pse nuk ke eksperiencë.

3. “U largova nga puna se nuk shkoja mirë me menaxherin tim…”

Nëse kjo ka qenë arsyeja kryesore justifiko veprimin tënd. Trego si e ke menxhuar ti situatën. Shmangi detajet e panevojshme.  Rekrutuesi do ta vlerësojë sinqeritetin tënd. Përqëndrohu në atë që ke mësuar nga përvoja dhe në atë që shpreson të bësh në të ardhmen. Nëse nuk e trajton siç duhet rekrutuesi do të mendojë që je një person i vështirë për të punuar me të.

4. “Sa është paga për këtë pozicion?”

Kur pyet që në intervistën e parë sa është rroga, dukesh arrogant. Është shumë herët të pyesësh (çfarë përfitoj unë?). A e di se çfarë duan të dinë intervistuesit në këtë fazë? E para dhe më e rëndësishmja, çfarë mund të bësh ti për ta. Çfarë mund të bësh për të rritur të ardhurat e kompanisë? Plotësimi i kërkesave të tua (si paga psh) do të bëhet nëse rekrutuesit të pëlqen dhe kalon fazën përzgjedhëse.  Nëse ti i bën qartë kërkesat e tua herët, më beso do të jetë e vështirë për të kaluar në fazën tjetër.

5. “Jo…nuk kam ndonjë pyetje.”

Jo pa qëllim bëhet kjo pyetje. Intervista nuk është vetëm që rekrutuesi të të bombardojë ty me pyetje por dhe ti të kuptosh nëse është puna e duhur për ty. Të mos kesh ndonjë pyetje në thelb do të thotë se nuk je aq i interesuar sa të mësosh më shumë. Kështu që gjithmonë pregatit pyetjet e tua. Mund të pyesësh për pozicionin, kompaninë, ekipin, mundësitë e zhvillimit etj.

Intervistat janë të sikletshme, e dimë. Ne i njohim edhe vështirësitë tuaja. Por, nuk është rekrutuesi ai që ta bën vështirë intervistën, as mungesa e eksperiencës. Je ti.  Nëse e njeh veten mirë do të jesh në gjendje të japësh përgjigjen e duhur dhe me konfidencë gjatë intervistës.

Nëse ke një intervistë së shpejti, merr një vlerësim psikometrik që ta njohësh veten më mirë. Ose këshillohu me një nga këshilluesit tanë të karrierës. Kështu do të shkëlqesh në intervistën e ardhshme dhe rritësh shancet për punësim.