5 objektiva të arritshme për karrierën tënde për 2022

Nëse do ta nisësh vitin e ri me objektiva klishe që hartojnë të gjithë, do përfundosh si pjesë e statistikava të trishta ku 80 % e njerëzve i thyejnë objektivat që në muajin shkurt. Do ta përdorësh 3-4 herë abonimin në palestër, pajisja e step-it që ke blerë do përfundojë si varëse rrobash në shtëpi ose do jesh tek e njëjta punë duke u ankuar.
Filloje ndryshe këtë vit dhe përqëndrohu në disa objektiva plotësisht të arritshme që do të bëjnë të zhvillohesh:


#1 Mëso diçka që nuk ka zbatim praktik në jetën tënde
Kur Steve Jobs studioi kaligrafi, u mrekullua me bukurinë dhe mjeshtërinë e teknikës. Ai nuk e dinte se si kjo përvojë e tij do të ndikonte thellë në mënyrën se si do të dizenjonte Apple. Bëhu si Stiv Jobs këtë vit, mësoni dicka që do të ngjallë kureshtjen dhe dëshira të reja. Harroje pjesën praktike dhe argëtohu, asnjëherë nuk e di se ku mund të çojë.


#2 Përfshihu në eksperienca të reja
Nëse ke në fokus që këtë vit të përparosh në karrierën tënde, përfshihu në eksperienca jashtë zonës tënde të komfortit. Ka gjasa të njohësh njerëz të rinj, të përjetosh një përvojë të re të paharrueshme apo ta njohësh veten tënde më mirë. Guxo të rritesh këtë vit.


#3 Mëso një aftësi të re teknologjike
Në ditët e sotme nuk ka një rol pune që nuk është i lidhur më teknologjinë. Bëj pak kërkim për të kuptuar aftësitë më të kërkuara teknologjike në fushën tënde dhe zgjidh një aftësi teknologjike që dëshiron të mësosh. Mos hezito të regjistrohesh në platformat online si Linkedin, Coursera, Udemy etj. Opsionet janë pothuajse të pafundme (edhe falas i gjen), kështu që nuk ka asnjë justifikim pse nuk mund të mësosh atë që të intereson.


#4 Lexo 3 libra që do të frymëzojnë ta çosh karrierën tënde përpara
Pra, ti nuk je lexues shume i mire, nuk ke kohë, ke gjëra më me rëndësi për të bërë etj. Këtë vit, të sfidoj që të lexosh një libër, çdo katër muaj. Është sfidë e arritshme. Zgjidh opsione në lidhje me biznesin, biografi, zhvillim personal etj – vetëm sigurohu që të zgjedhësh ato libra që do të bëjnë të reflektosh, dhe do t’ë frymëzojnë të përparosh në cilëndo rrugë je. Nëse e tejkalon sfidën akoma më mirë.

#5 Merr një këshillim karriere
Nëse nuk ke bashkëpunuar më parë me një këshillues karriere ky është një moment ideal për ta bërë. Kështu do ta kesh më të lehtë rrugëtimin tënd gjatë këtij viti. Një gjë është e sigurt, do ta njohësh veten më mirë dhe do të mësosh ta zhvillosh karrierën tënde me hapa të sigurt.


Nuk është e nevojshme të hartosh një listë të gjatë me synime për këtë vit. Thjesh vendos objektiva që do të kenë një ndikim pozitiv për karrierën dhe mendjen tënde. Tani përfytyro sikur ti realizosh të gjitha këto sa më lartë si do të ndiheshe në fund të vitit?
Nëse të pëlqen ajo që sapo përfytyrove fillo nga puna dhe quaje 2022-in një vit të suksesshëm.