Pse vera është koha perfekte për të gjetur punë?

Vera është një stinë super, veçanërisht në Shqipëri ku ka mundësi pa fund që të argëtohesh. Koha e shumë prej nesh është e programuar me takime miqësore dhe plane të bukura për fundjavën në bregdetin e jugut. Hey po jeta profesionale??? Ajo sikur ngadalësohet pak…

Zyrat duken më të qeta, mediat sociale (fbook dhe Instagram) më të zhurmshme dhe duket sikur tema e ditës janë PUSHIMET.

Kështu, disa mendojnë se vera nuk është një kohë e mirë për të kërkuar punë, se kompanitë bëjnë një pauzë për punësim gjatë sezonit veror.

Po a është kjo e vërtet?  Absolutisht jo. Njerëzit shkojnë me pushime por kompanitë nuk i pezullojnë veprimtaritë e tyre. Nëse fokusi yt është gjetja e punës nuk ke pse ndalon së kërkuari sepse është sezonin i pushimeve. Në fakt ky mund të jetë momenti i duhur për ty. Pse? Po të japim disa arsye:

#1 Ka më pak konkurencë

Thjesht mendo: Nëse shumica hamendëson se vera nuk është kohë e mirë për të aplikuar për punë, do të ketë më pak aplikime dhe më shumë shance për ty. Kështu që vazhdo rishiko CV-në, krijo letrën e interesit veçanërisht kur mendon se të tjerët pushojnë dhe apliko.

2# E ke të lehtë të kërkosh për pushime

Nëse shqetësohesh se gjetja e punës do të pengojë të bësh pushimet e tua, përsëri gabon. Negocio datën e fillimit të punës, duke mos lënë jashtë pushimet e tua. Kompanitë e mirëkuptojnë, mjafton të jesh transparent. Të kërkosh pushime është më e lehtë në këtë fazë se gjatë punësimit.

#3 Menaxherët e punësimit janë më pak të ngarkuar

Shumë kandidatë mund të përfitojnë nga kjo periudhë pasi menaxherët e punësimit i kanë ditët më pak të ngarkuara. Kjo do të thotë se ka më shumë kohë për ta parë aplikimin tënd me vëmendjen e duhur.

Pra, stina e verës i ul sfidat e punëkërkuresve dhe rrit shancet për punësim. Kështu që ndërsa të tjerët planifikojnë pushimet, ti planifiko karrierën tënde.