4 këshilla se si t’i jepni prioritetin e duhur detyrave para provimeve
Për të gjithë studentët të cilët diplomohen këtë vit, me siguri kjo nuk ishte periudha ideale që kishit menduar që do i paraprinte sezonit të përgatitjes së diplomimit, por përshtatja sa më e shpejtë me situatën është prioritet për ju në këtë moment.
Nuk dini nga të nisni? Ja 4 këshilla se si t’i jepni prioritetin e duhur detyrave:
1. Kuptoni mirë çdo detyrë që keni për të kryer.
Krijoni një listë me detyra dhe veprime që duhet të bëni për t’u përgatitur për provimet apo temën e diplomës. Për secilën detyrë kuptoni si do kryhet ajo (psh. nëse duhet të lexoni për libra, të bëni kërkime për materiale për temën e diplomës, etj.), sa kohë i duhet, cilat detyra kanë lidhje me njëra-tjetrën, apo nëse mund t’i arrish vetëm osë me ndihmën e dikujt tjetër.
2. Rendisni secilën detyrë
Nëse vendosni të merreni me të gjitha detyrat njëherësh, niveli i stresit dhe ankthit do rritet dhe do ju bllokojnë. Qetësisht, rendisni dy grupe detyrash: sipas urgjencës me të cilën duhet të kryhen dhe sipas rëndësisë. Pas kryerjes së secilës prej tyre, i rishikoni dhe riorganizoni. Mos harroni që keni mësuar për disa vite lëndët për të cilat po përgatiteni dhe ju duhet të qëndroni sa më sistematikë dhe të organizuar, që të lejoni memorien tuaj t’ju ndihmojë në sjellen në mënd të informacioneve.
3. Vendosni afate kohore
Kini kujdes që të vendosni afate sa më reale në mënyrë të tillë që mos të dekurajoheni nëse nuk arrini t’i kryeni në kohë rekord. Nëse nga eksperienca dini që për të bërë një kërkim mbi artikuj që ju duhen për temën e diplomës ose për të zgjidhur një set ushtrimesh të matematikës ju nevojiten dy orë, mos u ngutni të vini si afat vetëm 30 minuta. Jini realist.
4. Jini fleksibël
Për nga rëndësia që ka diplomimi, gjëndja emocionale dhe mendore vihen në hiperaktivitet, por gjithashtu edhe në gjëndje ankthi. Po ashtu, situata që kemi kaluar në dy muajt e fundit nuk ka qënë aspak ndihmuese për ju. Kështu që, nëse e kuptoni që po bllokoheni dhe nuk arrini të jeni produktiv, merrni pak pushim ndërmjet orëve të përgatitjes, flisni me dikë që i besoni, vazhdoni të mbani sa më të motivuar shokët e klasës, punoni së bashku online ose konsultohuni me specialistë të fushës.