Webinar- thesare dhe grupe të veçanta

Shpesh herë e marrim të mirëqënë faktin se në të gjithë vendin të rinjtë kanë aksesin e duhur në arsimim apo punësim. Por, pavarësisht dëshirës, aftësive apo potencialit, shumë të rinj privohen nga kjo mundësi, jo për fajin e tyre, por për shkak të mungesës së mundësive, infrastrukturës, mbështetjes apo edhe këshillimit të duhur. Disa persona kanë rrethana të veçanta, të cilat nuk i mundësojnë që të marrin formim cilësor arsimor apo të ndjekin rrugën e karrierës që dëshirojnë dhe meritojnë.

Për këto thesare, Expert Lane i kushton një vëmendje dhe ndihmë të veçantë, në rrugëtimin drejt fuqizimit të tyre profesional.

Në datë 16.06.2020 u mbajt webinari free, i dedikuar posaçërisht këtij grupi, ku morën pjesë të rinj nga zona të ndryshme të Shqipërisë, përkatësisht nga Kamza, Bathorja, Shushica, Velipoja, Lushnja, Përmeti, Kruja, Durrësi, Tirana. Pjesëmarrja e tyre në këtë webinar i hapi dyert e bashkëpunimit me këtë target grup sa të vështirë për t’u arritur, aq të rëndësishëm për t’u asistuar në zhvillimin e tyre profesional.