Si të jesh kandidat potencial për të fituar pozicionin e punës? Fol për arritjet jo për detyrat

Gabimi më i madh që vihet re në çdo pozicion pune që kemi hapur në Expert Lane-kandidatët listojnë në CV-të e tyre detyrat dhe jo arritjet.
Nuk është hera e parë që kemi fol për këtë temë por kemi kuptuar që ja vlen të flitet pak më shumë. CV-ja jonë duhet të prezantojë personalitetin, potencialin dhe arritjet e gjithësecilit.
Megjithatë e dimë që nuk është e lehtë të kthesh detyrat e tua në arritje por po hartojmë një udhëzues të thjeshtë. Me pak praktikë do ta bësh siç duhet.


Kupto ndryshimin midis “detyrave” dhe “arritjeve”
E thënë thjesht, detyra tregon çfarë ke bërë, arritja tregon sa mirë e ke bërë detyrën.
Të flasësh për arritje, është shumë e rëndësishme pasi i tregon atij që lexon CV-në tënde, diçka që ai nuk e di. Si rekrutuesit, dhe menaxherët e punësimit i dinë detyrat për titujt e punëve. Vendosja e detyrave në CV, s’bën asgjë të re përveç kopjimit të përshkrimit të punës. Nëse përfshin arritje i bën të qarta aftësitë e tua dhe impaktin që ke pas ne kompani. Psh:
Detyra: “përgjegjës për rritjen e numrit të ndjekësve në platformat sociale”
Arritja– “kam rritur numrin e ndjekësve në mediat sociale me 30% në tre mujorin e parë, përmes krijimit të blogs, webinareve dhe videove”

Pra, arrin ta bësh dallimin?


Krijo një list të cilësive që të dallojnë nga të tjerët
Ti je junior business analyst, që ke një vit eksperiencë pune në një kompani, ke nje diplomë universiteti dhe ke mbaruar me rezultate të mira.
Çfarë të dallon ty nga një junior business analyst tjetër që ka të njëjtin profil me ty? Si ta kuptojë rekrutuesit që ti je më i mirë se kandidati tjetër?
Duhet të krijosh një listë të cilësive të tua. Reflekto dhe jepi përgjigje pyetjeve më poshtë:
•Të ka vlerësuar ndonjëherë menxheri /profesori për një detyrë që e ke bërë shumë mirë? Pse? Çfarë bëre?
•Çfarë problemi ke zgjidhur?
•I ke kursyer kompanisë para?
•Ke rritur numrin e klientëve?
•Ke përmirësuar ndonjë proces/shërbim?
•I ke arritur ose tej kaluar objektivat në punë?
•Ke bërë ndonjë sugjerim që ka patur impakt në kompani?
•Çfarë të ka bërë punonjës shumë të mirë?

Të lumtë! Sapo krijove një listë me cilësitë e tua.


Bëhu i besueshëm, konkretizo arritjet e tua me fakte, vlera, numra
Merr listën që krijove dhe shto numra ose fakte ku të kesh mundësi. Psh mos thuaj “kam menxhuar në mënyrë efektive buxhetin për x proces” por trego vlerë numerike të buxhetit që ke menxhuar dhe sa lekë ke kursyer. Sa njerëz janë ndikuar nga puna jote? Me sa përqind i ke kaluar detyrat e tua?
Duke i shoqëruar arritjet e tua me numra, vlera apo fakte bëhen më të thjeshta për t’u kuptuar nga rekrutuesit. Gjithashtu ai e ka më të lehtë për të identifikuar aftësitë që duhen për të arritur këto rezultate.

Një CV me arritje është mënyra më e mirë për të treguar atë që mund të bësh. Tani që e di si bëhet transformo CV-në tënde dhe fito punën që do.

Nëse dëshiron të ndihmojmë të përmirësosh CV-në tënde, na kontakto.