Grupe të veçanta

Grupe të veçanta

Bëhu dhe ti pjesë

Shpesh herë e marrim të mirëqënë faktin që në të gjithë vëndin të rinjtë kanë aksesin e duhur në arsimim apo punësim. Por, pavarësisht dëshirës, aftësive apo potencialit, shumë të rinj privohen nga kjo mundësi, jo për fajin e tyre, por për shkak të mungesës së mundësive, infrastrukturës, mbështetjes apo edhe këshillimit të duhur. Disa persona kanë rrethana të veçanta, të cilat nuk i mundësojnë që të marrin formim cilësor arsimor apo të ndjekin rrugën e karrierës që dëshirojnë dhe meritojnë.

Disa kategori që Expert Lane synon të mbështesë

Të rinj në vështirësi ekonomike

Qindra të rinj për shkak të situatës së vështirë ekonomike, çdo vit braktisin bankat e shkollës duke marrë përsipër në moshë shumë të vogël të sjellin të ardhura financiare në shtëpi, dhe ndihmuar familjen. Kjo i pengon të zhvillojnë aftësi për punë në përputhje me potencialin dhe dëshirat e tyre.

Vajza dhe Gra

Përqindja më e lartë e të rinjve që nuk vazhdojnë studimet e larta dhe të papunëve janë vajza dhe gra. Mentaliteti familjar apo i komunitetit, mos vlerësimi i grave në vëndin e punës sipas meritave, vështirësitë e rikthimit në punë pas lindjes së fëmijëve, apo rrethana më të rënda si ato të grave të dhunuara, e bën këtë kategori të përballet me vështirësi të mëdha në ndjekjen e një rruge të suksesshme punësimi dhe karriere.

Të rinj nga zona rurale

Pavarësisht zhvillimit të viteve të fundit të infrastrukturës në vend, shumë të rinj nga zonat rurale kanë pamundësi në marrjen e njohurive dhe zhvillimit të aftësive për tregun e punës. Shkaqet mund të jenë të ndryshme: mungesa e aksesit në qendra urbane, mungesa e institucioneve arsimore e profesionale, e paketave lehtësuese të pagesave të mjeteve shkollore apo transportit. Kaq shumë talent jashtë qendrave urbane mbetet i pashfrytëzuar vetëm prej kushteve gjeografike apo ekonomike, dhe mungesës së mbështetjes.

Të rinj të kthyer nga diaspora

Ndonëse vitet e fundit flasim për shifra të larta të rinjsh të cilët largohen jashtë vëndit për të studiuar apo punuar, një numër i lartë të rinjsh janë rikthyer në Shqipëri nga eksperienca pune, apo studimi nga Europa dhe jo vetëm. Kjo kategori të rinjsh përbën një grup të veçantë, i cili ka nevojë për orientim në rrugën e karrierës që do ndërmarrin, duke i shtuar vlerë tregut tonë të punës me eksperiencën dhe njohuritë që sjellin.

Thesare të tjerë

Shumë të rinjve, situatat e veçanta, vendi apo rrethanat në të cilat lindin i përcaktojnë për një kohë të gjatë mënyrën e jetesës, por është momenti që këta, apo të tjerë thesare që ne kemi, t’i ndihmojmë në zhvillimin dhe planifikimin e duhur të profesionit dhe karrierës së tyre. Në këtë mënyrë, jo vetëm do ndihmojnë veten dhe familjen, por do ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik dhe social të komunitetit ku ata jetojnë.

Nëse e gjen veten te ndonjë nga këto kategori, na shkruaj. Ne në Expert Lane do donim shumë të dëgjojmë historinë tënde dhe të gjejmë mundësinë për të të ardhur në ndihmë.

Dërgo një Mesazh